
Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria merr pjesë në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore, eveniment që po zhvillohet në Torino që prej datës 8 mars dhe që do të ulë siparin këtë të shtunë.
Ndonëse në konkurrimin e tyre të parë, sportistët kuqezi jo vetëm që kanë arritur të lënë gjurmë, por madje kanë shkruar historinë me pesë medalje të fituara. Në ski alpine, Elizon Kacanja ka fituar një të artë në kategorinë “Novice Super-G” për vajza si dhe një medalje argjendi në “Novice Giant Slalom”.

Medalje e artë edhe nga Stela Salla, garuese në “Cross Country Skiing” në 50 metra.

Joanis Myrtollari fitoi medalje të bronztë në ski alpine për kategorinë “Novice Giant Slalom” në radhët e djemve.

Gjithashtu medalje bronzi meritoi edhe Joel Gërmenji në “Snowshoeing” 50 metra.

Paraqitje shumë të mira bënë edhe Vanesa Doçi, e cila zuri vendin e katërt në “Snowshoeing”, gjithashtu edhe Ergert Brahimllari, i renditur i shtati në “Cross Country Skiing” 50 metra.
Shqipëria garon me 6 atletë me aftësi të kufizuara intelektuale në 3 disiplina sportive dimërore, për herë të parë në historinë e sportit shqiptar. Ky është edicioni i 12 i Lojërave Olimpike Speciale Botërore Dimërore, i pari që mbahet në Itali. Në këtë eveniment konkurrojnë 3125 sportistë nga 101 shtete të ndryshme të botës, duke e bërë një nga ngjarjet më të mëdha sportive.
Lini një Përgjigje