
Kombëtarja shqiptare e futbollit për herë të parë në histori siguroi vendin e parë në një fazë kualifikuese dhe kjo ndodhi për Euro 2024. Të besuarit e Sylvinhos u renditën me 15 pikë në krye të grupit E, duke lënë pas Çekinë, Poloninë, Moldavinë dhe Ishujf Faroe.
Shqiptarët po presin me padurim shortin e datës 2 dhjetor, ku kuqezinjtë do mësojnë kundërshtarët në Euro 2024.
Përderisa ekipi i Sylvinhos është në vazon e dytë dhe Serbia në të katërtin, nuk përjashtohet një përballje direkte mes dy Kombëtareve. Duke ditur problemet mes dy vendeve dhe ndjenjës nacionaliste që futet në mes, UEFA me siguri për një rast të tillë do të ketë një vëzhgim të veçantë.
Media serbe, Kurir, në bazë të një artikulli shkruan se është interesuar dhe ka marrë informacion se nuk do ketë shmangie nga UEFA të një përplasje direkte.
“Sipas informacioneve që kemi marrë, shmangia e përplasjes direkte, të paktën tani për tani, nuk është një opsion”, shkruan Kurir.
Ndërkohë e pashmangshme është një përballje me big-ët e Europës, siç janë: Gjermania, Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika apo Anglia që janë në vazon 1. Ndërkohë në vazon tre janë skuadra si Holanda, Serbia apo Italia dhe me gjasë Kroacia, emra që mund të jenë përballë kuqezinjve.
Në vazon 4 janë skuadra si Zvicra, Çekia apo edhe Sllovenia. Pritet që tre emrat e mbetur të mësohen nga play-off i Ligës së Kombeve. Fakt është se Shqipëria në finalet e Euro 2024 rrezikon short "ferri".

Lini një Përgjigje