
Porteri i Kosovës, Samir Ujkani i ka dhënë fund futbollit aktiv në moshën 35-vjeçare. Gjatë karrierës së tij, Ujkani ka luajtur për skuadrat si Palermo, Novara, Kievo, Xhenoa, Latina, Pisa, Kremonese, Rizespor, Torino dhe Empoli. Pjesë e Empolit, Ujkani ishte edicionin e fundit.
Me fanelën e Kosovës, Ujkani ka regjistruar 35 ndeshje. Ai iu bashkua Kosovës menjëherë pas anëtarësimit në FIFA dhe UEFA. Ndërkohë, më herët, Ujkani ka qenë pjesë e Shqipërisë për të cilën ka luajtur 20 ndeshje.
“Ashtu sikur për gjithçka tjetër në jetë, ka ardhur koha që të them lamtumirë. Nuk jam as i mërzitur e as i trishtuar, në fakt ndihem shumë i qetë dhe shikoj me krenari të jashtëzakonshme rrugëtimin tim futbollistik dhe karrierën time, duke qenë i vetëdijshëm se kam qenë me shumë fat që kam përjetuar një eksperiencë unike dhe të mrekullueshme”, ka shkruar Ujkani në Instagram.
“Ky rrugëtim më ka dhënë mundësinë të njoh shumë njerëz, pothuajse në çdo qytet ku kam jetuar dhe kujtime të pashlyeshme për çdo fanellë që e kam bartur me krenari dhe që do të jenë pjesë e rëndësishme e jetës sime”.
Ai gjithashtu, ka falënderuar të gjitha skuadrat që ka luajtur gjatë karrierës, duke mos lënë anash as Kosovën e Shqipërinë.
“Faleminderit për të gjithë tifozët, që janë bukuria, kuptimi dhe japin shpirt këtij sporti të mrekullueshëm”.

Në fund, ai ka shkruar se çdo fund e ka një fillim të ri, duke shtuar se së shpejti do ta bëjë të ditur.
Lini një Përgjigje