
“Saga” Kristjan Asllani vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos së dimrit. Emri i mesfushorit kuqezi qarkullon pothuajse në çdo media sportive, ndërsa interesimi për të vjen nga një numër i madh skuadrash të Serisë A, me përjashtim të ekipeve “big”.
Pas Fiorentinës, Parmës, Sasuolos dhe Xhenoas, klubi i radhës që ka shfaqur interes konkret është Bolonja. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një rikthim të pistës emiliane, pasi Bolonja kishte kërkuar informacion për Asllanin edhe gjatë verës. Në atë periudhë, mesfushori zgjodhi të mos e marrë në konsideratë ofertën, duke preferuar transferimin te Torino.
Sot situata ka ndryshuar ndjeshëm. Asllani e di se nuk është më në planet e Torinos, por në të njëjtën kohë nuk gjen hapësira as tek Interi, klub që mban kartonin e tij. Eksperti i njohur i merkatos, Xhanluka Di Marcio, raporton se Bolonja e ka futur sërish emrin e Asllanit në listën e objektivave, veçanërisht pas largimit të Sulemanas, i cili u rikthye te Kaljari.
Në këto kushte, drejtuesit e Bolonjës janë të detyruar të ndërhyjnë në merkato për të përforcuar mesfushën. Klubi emilian shihet si një destinacion i përshtatshëm për Asllanin, edhe për faktin se këtë sezon garon në Ligën e Europës.
Lini një Përgjigje