
Mançester Siti shkruan historinë dhe fiton për herë të parë trofeun e Superkupës së Europës. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Georgios Karaiskakis” në Athinë u vendos nga “ruleta” e penalltive, pasi 90 minutat e kohës së rregullt të kësaj supersfide u mbyllën në barazim 1-1.
En Nesiri kaloi andaluzët në avantazh me golin e realizuar në minutën e 25 të ndeshjes. Markos Akunja i dha asist En Nesirit, por ky i fundit u ngrit lart dhe dërgoi topin në këndin e poshtëm majtas duke kaluar në avantazh ekipin e tij.
Në minutën e 63, Siti vendosi baraspeshën. Talenti Palmer gjeti rrugën e rrjetës me kokë pas asistit perfekt të Rodrit.
Përpos të gjitha tentativave të Mançester Sitit për ta mbyllur ndeshjen në 90 minuta, sfida shkoi te penalltitë, në baze të rregullores së re të UEFA-s, që ka hequr kohën shtesë.
Të katër penalltitë e para u shënuan si nga Sevilja, ashtu edhe nga Mançester Siti, teksa gabimi mund të vinte te penalltia e pestë e djemve të Guardiolës, me Kajl Uoker, pasi topi i tij u prit, por nuk u mbajt dot nga Bonu.
Me presionin mbi shpatulla, ishte Gudelj ai që ishte i pafat dhe goditja e tij e topit shkoi në tramversë, me Ederson të mposhtur, duke i dhënë kështu suksesin e parë Mançester Sitin në këtë kompeticion.
Pep Guardiola barazon kështu Karlo Ançelotin në fitimin e Superkupave të Evropës, 2 herë me Barcelonën, 1 herë me Bajernin e Mynihut dhe një herë me Mançester Sitin.
Lini një Përgjigje