
Roma ka bërë një hap fals në garën për një vend në Champions League, pasi u ndal në një barazim 1-1 ndaj Atalantës në stadiumin “Olimpico”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Serie A.
Skuadra nga Bergamo kaloi e para në avantazh në minutën e 12-të. Pas një topi të humbur nga Stephan El Shaarawy dhe një asistimi nga Marten de Roon, Nikola Krstovic realizoi me një goditje të fuqishme nga kufijtë e zonës, duke mposhtur portierin vendas.
Roma reagoi në fund të pjesës së parë, duke rikthyer baraspeshën. Mario Hermoso shënoi me një goditje të bukur gjysmë-volej brenda zonës, pas një asistimi me kokë nga Devyne Rensch.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, rezultat që mbeti i pandryshuar edhe gjatë 45 minutave të dyta, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave për të gjetur golin e fitores.
Pas këtij barazimi, Roma renditet në vendin e gjashtë me 58 pikë, duke i dhënë mundësi Juventusit të shkëputet në renditje nëse arrin të fitojë ndeshjen e radhës ndaj Bologna. Në vendin e pestë qëndron Como, gjithashtu me 58 pikë, pas humbjes 2-1 ndaj Sassuolos një ditë më parë. Atalanta mban vendin e shtatë me 54 pikë.
Lini një Përgjigje