
FIFA ka pezulluar nga sporti për tri vjet ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, për shkak të sjelljes jo etike në finalen e Kupës së Botës së Grave.
Ky dënim ka të bëjë me ngjarjet e ndodhura gjatë finales së Kupës së Botës për femra, më 20 gusht 2023, kur ai puthi në buzë futbollisten e kombëtares iberike, Jenni Hermoso, teksa ndaheshin medaljet e kampioneve.
FIFA nuk publikoi hollësi rreth vendimit të cilin e morën gjykatësit e komisionit të saj disiplinor, pasi kishin hetuar akuzat në lidhje me “rregullat themelore të sjelljes së mirëfilltë” dhe “sjelljen në një mënyrë e cila e njollos sportin e futbollit dhe vetë FIFA-n”.
Pikërisht për këtë “puthje fatale”, Rubiales ishte pezulluar përkohësisht për një periudhë fillestare prej 90 ditësh. Vendimi i Komisionit Disiplinor të FIFA-s i është njoftuar këtë të hënë Rubiales, i cili, në bazë të dispozitave të Kodit Disiplinor të FIFA-s ka 10 ditë kohë për të kërkuar vendimin e arsyetuar, i cili nëse kërkohet do të publikohet në “legal.fifa.com”. Ky vendim mund të apelohet në Komitetin e Apelit të FIFA-s.
“FIFA përsërit angazhimin e saj absolut për të respektuar dhe mbrojtur integritetin e të gjithë njerëzve dhe për të siguruar që rregullat bazë të sjelljes qytetare të respektohen”, thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje