
Mesfushori Amar Asani është ftuar për herë të parë nga trajneri Alban Bushi në përfaqësuesen e Shqipërisë U-21. Lajmi është bërë i ditur nga klubi suedez Treleborg, ku aktivizohet 19-vjeçari.
Asani, i cili ka lindur në Suedi, aktivizohet me Treleborgun në kategorinë e tretë të futbollit suedez dhe konsiderohet një nga talentet e rinj të skuadrës. Ftesa në ekipin Shpresa përbën një hap të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare.
Në njoftimin e publikuar nga klubi suedez thuhet se mesfushori është përfshirë në listën e Shqipërisë U-21 për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në fund të muajit mars. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Japoninë U-21 dhe më pas me Uzbekistanin U-21.
“Amar Asani është thirrur për përfaqësuesen kombëtare U-21. Mesfushori Amar Asani është ftuar në ekipin kombëtar U-21 të Shqipërisë, i cili do të përballet me Japoninë dhe Uzbekistanin në ndeshje miqësore në fund të marsit. Urime Amar”, shkruhet në reagimin e klubit Treleborg.
Sipas njoftimit të klubit, Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar gjithashtu zhvillimin e miqësores së dytë ndaj Uzbekistanit U-21, pas sfidës së planifikuar kundër Japonisë U-21.

Lini një Përgjigje