
Interi ia doli mbrëmjen e djeshme të fitonte ndaj Salcburgut me shifrat 1-0. Zikaltërtit bëri siç duhet “detyrat” dhe marrin kështu një 3 pikësh me shumë vlerë në grupet e Champions League.
Kristjan Asllani hyri në fushë në minutën e 61 dhe bëri një paraqitje mjaft pozitive. Madje mesfushori në një moment iu afrua edhe golit, me një goditje jashtë zone që rrezikoi të çante rrjetën e kundërshtarëve.
“Këtë vit ndihem shumë mirë dhe për këtë po më ndihmojnë edhe shokët e skuadrës, të cilët po bëjnë ç’është e mundur që të përmirësohem. Jam i lumtur që hymë dhe fituam. Ishte një ndeshje themelore dhe ne ia dolëm të merrnim suksesin. Ishte e ndërlikuar, nuk lejuan hapësira, pasi janë një ekip i fortë që vrapojnë shumë.
U treguam të zotë dhe të përulur për të luftuar deri në fund të ndeshjes për të marrë tri pikët që na takonin”, tha Asllani që vazhdoi të falënderonte tifozët: “Janë gjithmonë fantastikë, pa ata nuk e di çfarë do të bënim. Ne duhet të vazhdojmë kështu dhe të fitojmë edhe për ta”.
Lini një Përgjigje