
Ernest Muçi po kalon një nga momentet më të mira të karrierës së tij me fanellën e Trabzonsporit. Mesfushori me tipare sulmuese realizoi sot golin e 13-të në më pak se 90 ditë, ndërsa ka kontribuar edhe me pesë asistime gjatë kësaj periudhe, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer.
Goli i radhës erdhi në përballjen ndaj Fenerbahçes, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Superligës turke. Muçi shënoi në minutën e gjashtë, pasi përfitoi nga një top i gjatë i ardhur nga mesfusha e Trabzonsporit. Me një goditje të saktë dhe parabolë të bukur, ai mposhti portierin Ederson, duke zhbllokuar rezultatin dhe shtangur mbrojtjen kundërshtare.
Atmosfera në stadium ishte elektrizuese. Rreth 40 mijë tifozë ishin të pranishëm në shkallët e impiantit, ndërsa biletat ishin shitur plotësisht. Pas golit, tribunat shpërthyen në brohoritje, me tifozët që thërrisnin në kor emrin e mesfushorit shqiptar teksa loja rifillonte nga qendra e fushës.
Me këto statistika, Muçi po shndërrohet në një nga lojtarët më vendimtarë të kampionatit turk këtë sezon, duke tërhequr vëmendjen me paraqitjet dhe efektivitetin e tij në fazën sulmuese.
Lini një Përgjigje