TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Shkurt 2025, 21:12

Plas 'lufta' mes Armand Dukës dhe Fidel Yllit/ FSHF sulm frontal KOKSH-it: Sporti shqiptar s'mund të mbahet peng

Shkruar nga Pamfleti

Plas 'lufta' mes Armand Dukës dhe Fidel Yllit/ FSHF sulm frontal

Ashpërsohen përplasjet me Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komitetit Olimpik Shqiptar. FSHF ka dalë me një reagim të gjatë, ku akuzon KOKSH se nuk zbaton vendimin e marrë një vit më parë nga Arbitrazhi Sportiv, i cili rrëzoi vendimet e Asamblesë së KOKSH.

Reagimi i plotë

Gjykata e Arbitrazhit për Sport  vendosi më 17 qershor 2024 në favor të FSHF, duke përmbysur vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të KOKSH të mbajtur më 10 janar 2021.

CAS shpalli të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH, që kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH, shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.

CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare.

Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS vendosi në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.

Në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike juridike, KOKSH, i cili vetë kërkoi që çështja të gjykohej jashtë Shqipërisë, sot nuk e njeh më vendimin e CAS-it.

KOKSH refuzon hapur t’i bindet rregullave ndërkombëtare, duke krijuar një precedent të rrezikshëm dhe duke shkelur Konventën e Nju Jorkut mbi njohjen dhe zbatimin e vendimeve arbitrare.

Kjo nuk është thjeshtë një mosmarrëveshje sportive. Kjo është një formë e pastër dhune institucionale, një sulm i drejtpërdrejtë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe parimeve të drejtësisë!

Ky qëndrim na kthen pas në kohën e errët të komunizmit, kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar që nuk njihte asnjë vendim ndërkombëtar. Atëherë, shteti nuk i zbatonte ligjet e botës – dhe sot, për fatin tonë të keq historia po përsëritet.

FSHF nuk do të heshtë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për të vendosur drejtësinë në vend. U bëjmë thirrje autoriteteve ndërkombëtare, FIFA-s, UEFA-s dhe Gjykatave Evropiane të Drejtësisë që të reagojnë menjëherë dhe të mbrojnë rendin sportiv nga shkatërrimi i qëllimshëm që po ndodh në Shqipëri.

Sporti shqiptar s'mund të mbahet peng i një drejtësie të kapur dhe i një shteti që refuzon ligjin ndërkombëtar. Shqiptarët meritojnë të jenë pjesë e botës, jo të izolohen prej saj.

Lini një Përgjigje