
Tashmë nuk është më surprizë, që dy klubet saudite Al Nassr dhe Al Hilal kanë shprehur interesimin e tyre tejet serioz për Vinicius Zhunior, duke qenë të gatshme të paguajnë 300-350 milionë euro për kartonin e tij te Reali dhe sigurisht ta bëjnë brazilianin futbollistin më të paguar në botë duke i propozuar shifra të çmendura.
Megjithatë, Vinicius Zhunior i ka mohuar këto zëra dhe është shprehur se dëshiron të qendorjë në Madrid dhe të shkruajë historinë me “Los Blancos”.
Sipas “AS”, pavarësisht mohimeve të zakonshme, braziliani është i tunduar nga ofertat e ardhura nga klubet arabe dhe nuk përjashtohet mundësia që në vërë të largohet nga Madridi.
Për t’i paraprirë largimit të mundshëm të Vinicius Zhunior, Florentino Perez është gati të nxitojë me negociatat për të rinovuar kontratën me sulmuesin brazilian. Dhe për ta bërë një gjë të tillë më të lehtë, “AS” raporton se Perez do t’i propozojë Vinicius Zhunior shifrën që ai do për të mos u larguar nga Reali.
Pretendimi i brazilianit është të ketë të njëjtin trajtim financiar si Kilian Mbape dhe Perez duket se është gati ta pranojë këtë kusht të Vinicius.
Ai ka folur për mediat spanjolle pas një mbrëmjeje jo të zakonshme, që kishte nisur me diskutimet mbi të ardhmen e tij dhe interesin nga Arabia Saudite e PSG-ja dhe që ka vazhduar me ngacmimet e tifozëve të Sitit në lidhje me “Topin e Artë”.
Braziliani u përgjigj në fushë me një paraqitje mbresëlënëse. Mesazhi i tifozëve të Sitit e motivoi edhe më shumë brazilianin.
“E kam parë pankartën natyrisht, por nuk më shqetësoi aspak. Sa herë që tifozët kundërshtarë bëjnë gjëra të tilla, më japin më shumë forcë për të luajtur edhe më mirë dhe e bëra këtu. Ata e dinë historinë e Realit të Madridit, gjithçka që ky klub ka bërë në këtë kompeticion. Është hera e pestë që vijmë, është gjithmonë shumë ftohtë, por këtë herë fituam dhe duhet të vazhdojmë në këtë linjë”, tha ai pas takimit.
Vinicius ishte vërtet i lumtur pasi u kthye në formën e tij më të mirë. “Nuk ishte keq, isha në gjendje të luaja në mënyrë të shkëlqyer. Ne u mbrojtëm shumë mirë dhe nuk ka rëndësi kush shënon gola apo është lojtari i ndeshjes, ne jemi këtu për të bërë gjëra të mëdha për këtë fanellë dhe për ta vendosur Madridin në vendin e parë”, tha braziliani, i cili bëri shaka me golin e Mbapesë, që ishte disi i çuditshëm për nga mënyra e ekzekutimit.
“Gjëja e rëndësishme ishte të fitonim, nuk ka rëndësi se si shënohet”. Megjithatë, Vini nuk e konsideron të përfunduar çështjen e kualifikimit. “Ka mbetur ende shumë lojë në ndeshjen e kthimit, duhet të mbrohemi, siç jemi mbrojtur në këtë takim dhe të kemi tifozët tanë me vete për ta bërë një natë magjike”.
Kartonët dhe e ardhmja – Pas analizimit të ndeshjes, Vini foli edhe për dy çështje mjaft të diskutueshme dhe të debatueshme në këto javë në lidhje me të. Kartonët e shumtë dhe e ardhmja e tij. Për temën e ndëshkimeve, ai ishte i qartë:
“Ndonjëherë është e ndërlikuar, gjyqtarët nuk mbrojnë lojtarin që goditet. Edhe kur më godasin jam unë ai që ndëshkohem me karton të verdhë. Por shokët e skuadrës dhe trajnerët përpiqen të më ndihmojnë të qëndroj i fokusuar. Nuk jam shenjt, por dua të fitoj me çdo mjet”.
Më pas ka ardhur çështja tjetër, ajo e së ardhmes që vazhdon të përflitet, për rinovimin e munguar dhe ofertën nga Arabia Saudite. “As unë nuk di asgjë, askush nuk ka folur me mua, duhet të flas me presidentin dhe shpresoj të qëndroj këtu për një kohë të gjatë. Ky kompeticion na jep diçka më shumë dhe dua të bëj histori”.
Ndërkaq, në një intervistë për “TNT Sports Brasil”, po për temën e të ardhmes, Vinicius tha: “Është emocionuese të kem biseda me Madridin për rinovimin tim. Unë kam një kontratë deri në vitin 2027, por gjithmonë kam thënë se dua të vazhdoj të luaj këtu dhe të bëj histori. Kam marrë dashurinë e tifozëve, presidentit, trajnerit. Do Zoti në ditët e ardhshme vendoset gjithçka për të kaluar shumë më tepër kohë këtu në Madrid”.
Lini një Përgjigje