
Pas Inzagit dhe Zanetit vjen radha e Çalhanoglu, mesfushori turk jep shpjegime në polici për trukimet me kreun e ultrasve të Interit
Pas Inzagit, Zanetit dhe Kalabrias, sot ishte radha e Hakan Çalhanoglu për t’u intervistuar nga hetuesit në zyrat e Komisariatit të Policisë së Milanos, në kuadër të hetimit “Double Curve” të koordinuar nga Prokuroria Publike e Milanos, raportojnë mediat italiane.
Më 30 shtator u arrestuan 19 ultras të Interit dhe Milanit, si dhe “iu preu koka” drejtuesve të Curva Nord dhe Curva Sud.
Hetimi nisi në fillim të shtatorit pas vrasjes së Antonio Beloko, një anëtar drejtues i Curva Nord të Interit, i kryer nga Andrea Bereta, një tjetër ultras zikaltër.
Gjashtëmbëdhjetë persona u burgosën dhe tre të tjerë u vendosën në arrest shtëpiak. Shumica prej tyre thuhet se kanë lidhje me familje mafioze nga Kalabria dhe dyshohet se kanë kryer krime ‘të rënda’ në lidhje me biznesin e futbollit.
Për t'u rikthyer te Çalhanoglu, ai pas kthimit nga angazhimet me kombëtaren, iu përgjigj pyetjeve si person i informuar për faktet dhe pranoi se ishte takuar me liderët ultra Marko Ferdiko dhe Antonio Beloko, duke mohuar megjithatë se kishte dalë ndonjëherë për darkë me ta, përkundër asaj që deklaroi vetë Ferdiko në një përgjim në të cilin ai iu referua një “feste me pica” me Çalhanoglu dhe familjet e tyre.
Ish-lojtari i Milanit krijoi marrëdhënie me ultrasit, edhe pse Interi e kishte këshilluar që të mos kishte kontakt me eksponentë të tifozëve të organizuar:
“U takova me ultrasit, por klubi më tha të mos e bëja”, janë fjalët e turkut që i transmeton “La Stampa”.
Çalhanoglu dyshohet se i shpjegoi policisë se kishte zgjedhur të takonte Ferdikon dhe Belokon “për mirënjohje” pasi Curva Nord i kishte kushtuar një flamur solidariteti pas tërmetit në Turqi në shkurt 2023.
Për më tepër, në këmbim, futbollisti konfirmoi se ai kishte dhuruar edhe disa fanela për ultrasit për t’u përdorur për iniciativa bamirësie “për fëmijët e shtruar në spitale”.
Megjithatë, sa i përket Belokos, trashëgimtarit të klanit me të njëjtin emër nga Rosarno, i cili u vra me thikë në Cernusko sul Naviljo, Çalha tha se mësoi “kush ishte në të vërtetë Beloko vetëm pasi pa fotografinë pas lajmit të vrasjes së tij”, por gjithashtu shtoi se “asnjëherë nuk ka marrë presion” nga ai apo nga ultras të tjerë.
Lini një Përgjigje