TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Korrik 2026, 11:52

Pas eliminimit nga Botërori, Bellingham thirrje tifozëve: Mos lejoni që uniteti të përfundojë me këtë fushatë

Shkruar nga Pamfleti
Pas eliminimit nga Botërori, Bellingham thirrje tifozëve: Mos lejoni
Bellingham

Jude Bellingham u ka bërë thirrje tifozëve të Anglisë të ruajnë frymën e unitetit që ka shoqëruar kombëtaren gjatë Kupës së Botës, pas humbjes 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinale, rezultat që i dha fund ëndrrës së “Tre Luanëve” për trofeun.

Mesfushori 23-vjeçar pranoi se e kishte të vështirë të gjente fjalët për të përshkruar zhgënjimin pas eliminimit, ndaj vendosi të ndajë me ndjekësit një poezi frymëzuese, të cilën ia kishte dhuruar shoferi i ekipit, Michael Chandler.

Anglia kaloi në avantazh në minutën e 55-të me golin e Anthony Gordon, por Argjentina përmbysi rezultatin në pjesën e mbetur të ndeshjes falë golave të Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez, duke siguruar kualifikimin në finalen e Botërorit.

Pas sfidës, Bellingham, i cili zhvilloi një turne të shkëlqyer duke realizuar gjashtë gola, reagoi përmes rrjeteve sociale me një mesazh falënderues dhe motivues për tifozët anglezë.

"E kisha vërtet të vështirë të gjeja fjalët e duhura për ditën e djeshme dhe javët e fundit, por kjo poezi nga shoferi ynë në Kansas e përshkruan pothuajse në mënyrë perfekte. Faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme nga vendi ynë dhe për të gjithë ata që shpenzuan paratë e tyre të fituara me shumë mund për të udhëtuar drejt Amerikës dhe për të na mbështetur. Mos lejoni që uniteti dhe dashuria që kemi parë në vendin tonë të përfundojnë me këtë fushatë. Kur jemi së bashku, mund të arrijmë gjëra të mëdha... Dhe do t’i arrijmë!", tha ai.

Reagimi i mesfushorit të Real Madridit vjen në një moment kur pamjet e transmetuara pas ndeshjes, ku ai shihet në një përplasje me një futbollist të Argjentinës, kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te mesazhi i tij për unitet dhe mbështetje ndaj kombëtares angleze.

Lini një Përgjigje