Pas përfundimit të eksperiencës me Komon, Mërgim Vojvoda ka gjetur menjëherë një tjetër destinacion në elitën e futbollit italian. Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës është zyrtarizuar si futbollisti më i ri i Udinezes, pasi kaloi me sukses edhe testet mjekësore.
Vojvoda u largua nga Komo pas një periudhe të rëndësishme në radhët e skuadrës së drejtuar nga Çesk Fabregas, me të cilën ishte pjesë e një rrugëtimi historik që e çoi klubin drejt pjesëmarrjes së parë në Ligën e Kampioneve. Megjithatë, drejtuesit e klubit vendosën të ndryshojnë profilin e lojtarëve në dispozicion dhe palët i dhanë fund bashkëpunimit.
Kur u transferua te Komo, Fabregas vlerësoi maksimalisht karakteristikat e mbrojtësit kosovar, duke theksuar rëndësinë e tij për skuadrën.
“Mërgimi na sjell eksperiencë, forcë dhe qëndrueshmëri mbrojtëse në skuadrën tonë. Aftësia e tij për të luajtur në shumë role dhe eksperienca e tij në Serinë A do të jenë shumë të vlefshme për të vazhduar të përforcojmë linjën tonë të prapavijës”, deklaroi Çesk Fabregas pas zyrtarizimit të marrëveshjes, për të cilën Komo pagoi rreth 2.5 milionë euro.
Interesimi për Vojvodën ishte i menjëhershëm dhe Udineze u shfaq si destinacioni i radhës për 30-vjeçarin. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin bardhezi, me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër.
View this post on Instagram
Udineze, një skuadër e konsoliduar në Serinë A, synon edhe këtë sezon të sigurojë një pozicion të qëndrueshëm në mesin e tabelës, ndërsa Vojvoda pritet të sjellë eksperiencën e tij në repartin defensiv.
Vetë futbollisti kosovar ka shprehur entuziazëm për kapitullin e ri në karrierë.
“Jam i lumtur dhe krenar që jam këtu. Jam gati të ndihmoj ekipin dhe të jap maksimumin tim. Seria A është një kampionat jo i thjeshtë, por besoj se kjo skuadër ka cilësi të mjaftueshme për të bërë mirë”, u shpreh Vojvoda pas zyrtarizimit të transferimit.
Lini një Përgjigje