TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Korrik 2026, 15:38

Euro në minimum historik, Tabaku: Shqiptarët po paguajnë çmimin e parave të pista

Shkruar nga Pamfleti

Euro në minimum historik, Tabaku: Shqiptarët po paguajnë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish për zhvlerësimin historik të euros. Ajo tha se forcimi i pazakontë i lekut nuk mund të shpjegohet vetëm me turizmin, investimet e huaja apo remitancat, por lidhet me hyrjen e parave të pista në ekonominë shqiptare.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se euro ka arritur nivelin më të ulët historik që nga futja e saj në ekonominë shqiptare, ndërsa, sipas saj, qeveria nuk mund ta mohojë më këtë fenomen.

“Zhvlerësimi i euros me pothuajse një të tretën e vlerës dhe fakti që sot euro ka kapur minimumin historik që prej prezantimit të saj në ekonominë shqiptare, është një fakt që nuk e mohon dot askush, as qeveria”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate iu referua hetimeve të fundit të SPAK-ut, duke theksuar se vetëm në një prej operacioneve të zhvilluara gjatë javëve të fundit janë sekuestruar 491 pasuri, të dyshuara se janë krijuar përmes pastrimit të parave.

Sipas saj, sektorë si ndërtimi, turizmi dhe lojërat e fatit janë identifikuar prej kohësh si fusha me rrezik të lartë për pastrimin e parave, ndërsa hetimet penale, sipas Tabakut, po e konfirmojnë këtë shqetësim.

Ajo theksoi se aktiviteti kriminal nën hetim për periudhën 2019–2021 lidhet me qarkullimin e rreth 2 miliardë eurove në vit, kapital që, sipas saj, ka ndikuar në deformimin e kursit të këmbimit, konkurrencës dhe tregut të pasurive të paluajtshme.

“Nuk ka asnjë model ekonomik, asnjë shpjegim që lidhet me investimet e huaja, remitancat apo turizmin, që të justifikojë këtë zhvlerësim të euros”, deklaroi deputetja.

Tabaku u ndal edhe te ndikimi që, sipas saj, ky fenomen ka mbi bizneset eksportuese, veçanërisht industrinë fason, e cila realizon të ardhurat në euro, ndërsa kostot dhe pagat i mbulon në lekë.

“Si mundet një fason që prodhon dhe i dërgon produktet jashtë të konkurrojë me pastrimin e parave, kur të ardhurat nga produktet e tij janë zhvlerësuar me pothuajse 30 për qind?”, pyeti ajo.

Tabaku ngriti gjithashtu shqetësimin për rritjen e çmimeve të apartamenteve, duke argumentuar se shtresa e mesme po e ka gjithnjë e më të vështirë të përballojë blerjen e një banese.

“Mbi 90 për qind e popullsisë shqiptare vuan pasojat e pastrimit të parave: në tryezën e bukës, në xhep, në shpenzimet e përditshme, në biznes dhe në çmimet e rritura”, tha Tabaku.

Në përfundim, deputetja e PD-së e cilësoi situatën si një alarm për ekonominë shqiptare, duke pretenduar se zhvlerësimi i euros nuk është tregues i një ekonomie më të fortë, por pasojë e një sistemi të deformuar nga informaliteti, korrupsioni dhe kapitalet kriminale.

“Ky është dëmi më i madh që po i bëhet ekonomisë shqiptare. Ky është kriminalizimi i ekonomisë”, përfundoi Tabaku.

deputetja e partisë demokratike jorida tabaku euro zhvleresim

Lini një Përgjigje