Pas më shumë se një dekade heshtjeje dhe privatësie absolute, kanë dalë në dritë informacione të reja për gjendjen shëndetësore të legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.
Sipas burimeve pranë familjes, 57-vjeçari nuk është më i detyruar të qëndrojë në shtrat dhe tashmë mund të ulet në karrocë, duke lëvizur herë pas here në pronat e tij në Majorka dhe pranë Liqenit të Gjenevës. Këto zhvillime vijnë 12 vite pas dëmtimit të rëndë në kokë që Schumacher pësoi gjatë një aksidenti me ski në Alpet Franceze në vitin 2013.
Burimet bëjnë me dije se kampioni shtatë herë i botës vazhdon të marrë kujdes mjekësor 24 orë në ditë, i ndihmuar nga një ekip i specializuar dhe mbi të gjitha nga bashkëshortja e tij, Corinna Schumacher, e cila ka qenë pranë tij pa u larguar asnjëherë.
Thuhet se Michael Schumacher kupton pjesërisht çfarë ndodh përreth tij, megjithëse jo gjithçka, ndërsa familja vazhdon të ruajë me fanatizëm privatësinë e tij, ashtu siç ka bërë që nga dita e aksidentit.
Që prej vitit 2013, Schumacher nuk është shfaqur kurrë në publik. Në vitin 2024 pati spekulime se ai mund të merrte pjesë në dasmën e vajzës së tij, Gina-Maria, por kjo nuk ndodhi. Ndërkohë, vitin e kaluar, tre ish-punonjës të familjes u dënuan pasi tentuan të shantazhonin familjen Schumacher duke kërcënuar publikimin e qindra fotove të tij në gjendjen aktuale.
Së fundmi, Gina-Maria preku ndjekësit duke ndarë një foto të rrallë familjare, të realizuar para aksidentit, shoqëruar me fjalët emocionuese:
“Më të mirat përgjithmonë. Gëzuar ditëlindjen baba.”
Një mesazh i thjeshtë, por që rikujton lidhjen e fortë familjare dhe respektin e madh për figurën e një prej sportistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Lini një Përgjigje