
Lushnja dhe Besa kanë siguruar një tjetër edicion në Kategorinë e Parë teksa kanë fituar sot ndeshjet play-out përkatësisht ndaj Ilirisë dhe Luftëtarit të cilat vinin nga Kategoria e Dytë dhe kërkonin t’ua rrëmbenin këtë vend për sezonin e ardhshëm.
Lushnja ka triumfuar përballë Ilirisë me shifrat 2-0, falë dy golave të shënuar në ekstremet e ndeshjes. Ishte Kasmollari që u dha qetësinë lushnjarëve duke tundur rrjetën që në minutën e katërt e më pas ata e patën më të thjeshtë të administronin rezultatin përballë ekipit të Fushë Krujës. Në fund, Dragoj dyfishoi rezultatin duke e bërë të sigurt qendrimin e Lushnjes në Kategorinë e Parë.
Besa nga ana tjetër e zgjidhi më shpejt sfidën përballë Luftëtarit, teksa gjeti dy herë rrjetën në pjesën e parë me Eminin dhe Alfouseinin. Ziaj hapi duelin me golin e tij në startin e pjesës së dytë, por Spahiu u përgjigj për kavajasit, duke rivendosur epërsinë e dy golave, që rezistoi deri në vërshëllimën përfundimtare, e cila dekretoi edhe qendrimin e tyre në Kategorinë e Parë dhe ktheu gjirokastritët në Kategorinë e Dytë.
Lini një Përgjigje