
12 dhjetori i vitit të kaluar rezultoi një ditë e pafat për mesfushorin shqiptar të Leçes, Medon Berisha. Në ndeshjen Leçe–Piza, 22-vjeçari qëndroi në fushë vetëm 11 minuta, përpara se të pësonte një dëmtim të rëndë që e detyroi të largohej me barelë.
Pas ekzaminimeve mjekësore, u konfirmua se Berisha kishte pësuar një këputje të shkallës së dytë të muskulit “rectus femoris” në kofshën e djathtë. Fillimisht u parashikua një mungesë prej rreth pesë javësh, por kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe rikuperimi nuk ka shënuar progres të dukshëm.
Aktualisht, mesfushori ka nisur stërvitjen individuale, ndërsa nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij në fushë. Në 13 ndeshje të zhvilluara këtë sezon me Leçen, Berisha ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke qenë një nga protagonistët e skuadrës.
Rikuperimi i zgjatur i 22-vjeçarit përbën shqetësim edhe për kombëtaren shqiptare. Për trajnerin Silvinjo, mungesa e formës optimale apo pamundësia për ta pasur në dispozicion do të thotë një alternativë më pak në prag të sfidës ndaj Polonisë në fazën “Play-Off” të Kupës së Botës. Ende mbetet për t’u parë nëse Berisha do të arrijë të rikuperohet në kohë për këtë përballje të rëndësishme.
Lini një Përgjigje