
Ekipi olimpik i Kosovës do të kthehet në atdhe me dy medalje olimpike nga nëntë të mundshme nga Lojërat Olimpike, pasi Hana Beiqi dhe Gresa Bakraçi ishin atletet e fundit kosovare që garuan në “Paris 2024”.
Beiqi dhe Bakraçi dështuan qysh në rrethet e para në garat e tyre përkatëse të shtunën në kryeqytetin francez, duke mbetur pa medalje.
Notarja 15-vjeçare doli e fundit në baterinë e saj, me kohën 27.34 sekonda, jo mjaftueshëm për të siguruar një vend në mesin e 16 më të mirëve. Ky ishte debutimi i saj i parë në Lojërat Olimpike.
Bakraçi, ndërkohë, u skualifikua nga gara në 800 metra vrapim, pasi theu rregullat duke shkurtuar rrugën e vrapimit, pasi doli para kohe nga korsia e saj.
Megjithatë, ekipi olimpik do të kthehet në Kosovë me dy medalje olimpike nga kjo Olimpiadë, pasi kampionia olimpike nga “Tokio 2020”, Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo, ndërsa Laura Fazliu fitoi medaljen e bronztë në debutimin e saj.
Fazliu triumfoi në kategorinë deri në 63 kilogramë për të fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.
Në këto lojëra shënoi debutimin si trajnere edhe xhudistja legjendare kosovare, Majlinda Kelmendi, duke fituar medaljen e parë olimpike në rolin e saj të ri, si trajnerë e Fazliut.
Kelmendi shkroi historinë e sportit kosovar kur u shpall kampione olimpike në debutim në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Përveç Beiqit dhe Bakraçit, medalje nuk arritën të fitonin as Adell Shaboviç, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Donjeta Sadiku.
Kosova udhëtoi drejt Parisit me nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.
Kosova shënoi debutimin e saj në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil dhe prej atëherë ka fituar pesë medalje olimpike, tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë, që të gjitha në xhudo./REL
Lini një Përgjigje