
Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka dëshmuar në gjyqin ku akuzohet për dy shkelje ndaj administratës tatimore spanjolle, duke deklaruar se nuk ka pasur kurrë qëllim të mashtrojë shtetin dhe se çështjet fiskale i menaxhonin këshilltarët e tij. Ai ka pohuar: “Mua më interesonte vetëm të merrja 6 milionë euro neto për tri vite dhe nuk e kuptova kurrë që diçka nuk ishte në rregull. Nuk mora asnjë komunikim që prokuroria po më hetonte”.
I pyetur për të ardhurat nga shitja e të drejtave të imazhit te Reali i Madridit, ai ka sqaruar:
“Kur Reali i Madridit ma propozoi këtë (duke iu referuar kalimit të të drejtave të imazhit), u konsultova me këshilltarin tim në Angli dhe më pas nuk u mora më me këtë çështje, sepse gjithçka më dukej e rregullt. Nuk mendova se mund të ishte mashtrim, edhe pse, duke qenë këtu, mendoj se gjërat nuk kanë qenë aq korrekte sa dukeshin”.
Ançeloti ka mbërritur në gjykatë i qetë, me besim në pafajësinë e tij dhe i gatshëm të dëshmojë në procesin ku akuzohet për mashtrim të dyshuar fiskal. Prokuroria kërkon për të një dënim me burg prej 4 vitesh e 9 muajsh, duke e akuzuar për mashtrim në vlerën e mbi një milion eurove.
Më konkretisht, Ançeloti dyshohet se ka mashtruar shtetin spanjoll me 1.062.079 euro gjatë viteve fiskale 2014 (386.361 euro) dhe 2015 (675.718 euro), gjatë periudhës së tij të parë në drejtimin e Realit të Madridit.
Sipas Prokurorisë, borxhi tatimor i trajnerit është mbledhur nga Agjencia Tatimore përmes sekuestrimeve, së bashku me një penalitet prej 243.593 euro dhe 47.298 euro të tjera në formë interesash. Përveç dënimit me burg, prokurori kërkon që Ançeloti të paguajë një gjobë në total prej 3.186.237 euro.
Lini një Përgjigje