
Shqipëria zhvilloi seancën e fundit stërvitore në Moldavi, ku si rrallë herë grupi është i plotë, asnjë dëmtim, të gjithë lojtarët janë në kushte perfekte, të gjithë në dispozicion të Silvinjos për të rishkruar historinë, këtë herë në një version fantastik.
Me ngarkesë të plotë, është stërvitur edhe Kristjan Asllani, lojtari i vetëm që nuk erdhi në këtë grumbullim në kushte perfekte, por mesfushori i Interit ia doli të jetë në dispozicion të teknikut brazilian për këtë takim me historinë. Siç është bërë tashmë traditë, me Silvinjon në stol, ekipi fitues nuk ndryshon.
Në raport me takimin e fundit, atë kundër Republikës Çeke, kemi vetëm një ndryshim Ismajli rikthehet titullar në vend të Arlind Ajetit, me qendërmbrojtësin që për arsye dëmtimi nuk ia doli të ishte i pranishëm në këto dy sfida, por në çdo rast, Ismajli është i paprekshëm, teksa me Berat Gjishitin kanë formuar prej kohësh dyshen e qendrës së mbrojtjes. Hysaj në të djathtë dhe Mitaj në të majtë kompletojnë repartin e prapavijës, ndërsa Berisha në portë.
Nuk ndryshon as dyshja e mesfushës, Asllani-Ramadani, ndërsa përpara tyre zbret Nedim Bajrami. As treshja e sulmit nuk preket me Seferin në të majtë, Cikalleshi në qendër dhe Jasir Asani në të djathtë.

Lini një Përgjigje