TAGS-AT E JAVËS

Sport13 Mars 2026, 21:08

Nga kartoni i kuq te braktisja e ndeshjes, Egnatia dhe Vllaznia ndajnë pikët mes kaosit në Rrogozhinë

Shkruar nga Pamfleti

Nga kartoni i kuq te braktisja e ndeshjes, Egnatia dhe Vllaznia ndajnë

Egnatia dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Kategorisë Superiore. Takimi i zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës u mbyll pa gola, me rezultatin 0-0.

Gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, vendasit e Egnatias dominuan lojën dhe krijuan disa raste shënimi, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj portës kundërshtare nga minutat e para deri në fund të takimit. Megjithatë, asnjë nga skuadrat nuk arriti të konkretizojë rastet e krijuara.

Momenti më i diskutueshëm i sfidës erdhi në minutën e 71-të, kur arbitri Florjan Lata ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin e Egnatias, Arbenit Xhemajli, pas një ndërhyrjeje të cilësuar si të dyshimtë. Vendimi shkaktoi reagim të menjëhershëm nga lojtarët e Egnatias, të cilët braktisën përkohësisht fushën në shenjë proteste.

Lojtarët u rikthyen në fushë vetëm pas rishikimit të episodit në sistemin VAR, por arbitri Lata vendosi të mos ndryshojë vendimin fillestar për kartonin e kuq.

Tensionet vijuan edhe më tej, pasi vetëm një minutë më vonë trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq, duke lënë pankinën e skuadrës pa drejtues.

Ndeshja përfundoi mes polemikave, por pa ndryshim rezultati. Pas këtij barazimi, Egnatia renditet në vendin e dytë me 50 pikë, dy më pak se Vllaznia kryesuese.

egnatia vllaznia abissnet superiore

Lini një Përgjigje