
Nuk ka fitues në fianlen e Superkupës së Europës. Kur mendohej se Totenhemi do të ngrinte në qiellin e Udine trofeun, londinezët u shpërfytyruan brenda 5 minutave nga PSG-ja, duke bërë që ndeshja të mbyllej në barazim 2-2 dhe fituesi të përcaktohet nga pika e bardhë e penalltive.
Pjesa e parë e finales së luajtur në Udine u mbyll 0-1 për anglezët. Ishte Miki van de Ven që shënoi golin e avantazhit për Totenhemin, në minutën e 39, pas një aksioni të gjatë të finalizuar me sukses. Qendërmbrojtësi holandez u gjend në kohën dhe në vendin e duhur, duke dërguar topin në portën e mbrojtur nga Lukas Shevalier, pasi tentativa e parë e londinezëve u ndal nga traversa.
Pjesa e dytë nisi me gol. Ishin sërish anglezët e drejtuar nga Tomas Frenk që gjetën rrjetën, këtë herë iu dha një dorë dhe portieri i ri i PSG-së, Shevalier.
Pas një krosimi të Pape Matar Sarr, Kristian Romero goditi me kokë dhe Lukas Shevalier nuk u tregua fare vigjilent dhe pësoi një gol, që ishte shumë i mundshëm për ta shmangur.
Londinezët po udhëhiqnin të sigurt 0-2 deri në minutën e 85, duke qenë vetëm 5 minuta larg triumfit historik, por parizienet barazuan shifrat.
Fillimisht fituesit e Champions League ngushtuan shifrat në minutën e 85. Kang-in Li shënoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas asistit të marrë nga Vitinja.
Në minutën e tretë shtesë, PSG-ja barazoi shifrat 2-2. Një krosim i bukur i Dembele brenda zonës, aty ishte Gonçalo Ramos që shënoi me kokë duke dërguar topin në portën e londinezëve për herë të dytë në pak minuta.
Lini një Përgjigje