
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është shfaqur sot para mediave për të komentuar situatën e ekipit para ndeshjes me Gjeorgjinë. Tekniku është shprehur entuziast për situatën në kombëtare, e cila po bëhet gati të luajë këtë duel në një "Air Albania" të tejmbushur.
Vlerësimi dhe shpresa për ndeshjen me Gjeorgjinë – “Unë e kam thënë që ky është një grup shumë i ekuilibruar dhe do të ndodhë gjithçka. Ukraina është e fortë, Çekia është shumë e fortë, Gjeorgjia, nëse nuk e keni parë, përgatituni se është skuadër e përgatitur, fizikisht dhe teknikisht. Trajneri ka punuar shumë, është e fortë. Të gjithë trajnerët e përgatitin ndeshjen për të fituar, edhe ne. Unë mendoj se nesër do të jetë një ndeshje shumë e bukur, me stadium të mbushur, ata janë një ekip i fortë, i organizuar, i vështirë. Do të duhet të ecim me 100 në orë nëse duam të bëjmë një paraqitje të bukur, do të jetë e rëndësishme”.
Përgatitja për ndeshjen – “Sa i përket ndeshjes së mëparshme, mund të bësh 5 zëvendësime apo 2. Unë e pashë që ekipi ishte mirë në fushë, erdhi momenti për të bërë dy zëvendësime. Hoxha është i fortë, me forcë fizike, edhe Berisha, se Laçi ishte vërtetë i lodhur. Për nesër nuk e dimë ende, e vërtetë që nga një ndeshje në tjetrën ka pak kohë. Sot është praktikisht stërvitja e parë, duhet të shohim si janë lojtarët sot dhe nesër. Nesër në drekë vendosim me stafin dhe lojtarët”.
Ndryshime të mundshme në formacion- “Pak a shumë është e njëjta përgjigje, se duhet shohim lojtarët. Koha është e shkurtër për të gjithë, kthehen nga transferta, dje nuk kemi bërë gjë në fushë. Sot duhen parë si janë, duhet folur, duhet parë stërvitja, por kemi 23 lojtarë dhe shumë të gatshëm për të shkuar në fushë. Nëse kuptojmë që një lojtar nuk është në 100%, e bëjmë ndryshimin, sot është ende herët, duhet të zhvillojmë gjërat dhe të marrim një vendim nesër në drekë”.
Lini një Përgjigje