
Altin Haxhi ka qenë një nga emrat më të njohur të Kombëtares shqiptare për shumë vite më radhë. Anësori i majtë ka bërë emër me lojën e tij duke luajtur 67 ndeshje me kuqezinjtë e duke u bërë një pikë fikse e Kombëtares, në një periudhë krejt tjetër të rrugëtimit të saj.
Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ish-futbollisti kuqezi ka treguar se si e sheh ndryshimin mes periudhave dhe krahasimin me një tjetër emër që po bën mirë në krahun e majtë të kuqezinjve. Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, ai ka folur edhe për jetën pas futbollit të luajtur.
Haxhi, sot ndodhemi në “Air Albania”, dikur “Qemal Stafa” i famshëm, çfarë ndjesie të krijon?
Emocionet janë të mëdha. Kam kaluar shumë vite këtu, ndihem mjaft krenar që kam qenë pjesë e këtij ekipi kombëtar.
Keni luajtur 67 ndeshje me ekipin përfaqësues, keni realizuar 3 gola, cili është kujtimi më i bukur, ndeshja që do veçoje?
Të gjitha ndeshjet me Kombëtaren janë emocionuese. Për mendimin tim, e para ndeshje që kam luajtur ka qenë ndaj Irlandës në Zvicër, ku kam shënuar golin e parë timin, atëherë isha djalë i ri. Ka qenë emocionuese, i dhamë fitoren Kombëtares.
Nga viti 2009, kur ju jeni tërhequr, deri më sot, besoj kanë ndryshuar shumë gjera. Kemi shkuar dy herë në Europian. Cili Europian të ka pëlqyer më shumë?
Besoj se arritja në Europian, sidomos hera e parë, ishte diçka emocionuese. Edhe ne përpiqeshim të bënim diçka, por këta djem e sollën ekipin në këtë nivel, ishte kënaqësi e madhe. U mësuam edhe me të dytin, i shikonim me krenari ndeshjet kudo që ishim jashtë vendit.
Si e sheh sot Kombëtaren Haxhi, si të duket në raport edhe me kohën kur ti ke luajtur? Çfarë të pëlqen dhe ku duhet të përmirësohemi?
Ndryshimi ishte shumë i madh. Kushtet janë të përkryera, stadiumi duket fenomenal. Edhe në vitet e ardhshme, do të kemi sukses. Shqiptarët kishin nevojë për një stadium të tillë. Ne shqiptarët e kemi gjakun e nxehtë dhe futbollin e duam shumë. Dikur luhej që të mos turpëroheshim, që të mos hanim shumë gola, tani jemi të barabartë. Atëherë ka qenë më ndryshe, tani lojtarët tanë janë më të mirët në ekipet ku luajnë.
Sot flitet shumë për Mario Mitajn, e krahasojnë shpesh me ju. Keni një koment për të, do i jepnit një këshillë?
Mitaj është lojtar shumë i mirë, është një nga më të mirët e krahut të majtë që ka luajtur për Kombëtaren. Më vjen mirë që e krahasojnë edhe me mua.
Mes Haxhit, Agollit dhe Mitajt, jam shumë kurioze, nëse do ishit trajneri, kujt do t’i besonit një fanellë titullari?
Të 3 janë lojtarë të mirë. Besoj se çdo gjë varet nga ndeshja, çfarë qëllimi ka ekipi dhe kundër kujt luan. Nëse është ekip gjerman, i besonim krahun e majtë Mitajt. Nëse luanim me Greqinë, do i besonim Agollit ose Altinit. Këta janë lojtarë shumë të mirë.
E ke ndjekur këtë periudhë Shqipërinë, kemi shanse për të kapur vendin e dytë në kualifikueset e Botërorit?
Çdo gjë është e mundur. Një fitore të dërgon lart, një humbje të zbret poshtë. Futbolli është futboll. Po të japin maksimumin, do të japin rezultat.
Haxhi, jetoni prej vitesh në Bullgari, më tregoni diçka për jetën tuaj. Mos gaboj jeni pjesë e CSKA së Sofjes, punoni me ekipet zinxhir…
Në Bullgari u shkëputa nga CSKA para 4 muajsh pasi Presidenti më shiti ekipin. Tani jam pjesë e akademisë, me lojtarët që kam aty. E pëlqej futbollin, për 2-3 vjet do kemi rezultate.
Së fundmi të CSKA e Sofjes erdhi Kevin Dodaj, talenti i Vllaznisë. E keni parë si lojtar, do i jepni ndonjë këshillë?
M’u bë qejfi që u bë shqiptari i dytë që vjen te CSKA e Sofjes, pas meje. Nuk e dija çfarë lojtari është, më pas nga interesi u futa dhe e pashë. I pashë ca ndeshje, më ka pëlqyer jashtë mase, uroj të bëhet lojtar i madh.
Haxhi, po futbollin vendas në Shqipëri e ndiqni? Çfarë mendimi keni, tani janë më prezent në Europë, dikur nuk ishte e lehtë të luaje jashtë…
Mendoj se ka të bëjë niveli. Ekipet në Superiore, nuk kanë shumë diferenca, për shembull ekipi i parë me të fundit. Ekipet kanë rivalitet në Shqipëri dhe kjo është diçka pozitive, dikur nuk ka patur kaq shumë.
Lini një Përgjigje