Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, mund të rikthehet në futbollin europian gjatë merkatos së kësaj vere, pas një periudhe në kampionatin saudit me Al Itihad. Lajmi raportohet nga mediat saudite, të cilat bëjnë të ditur se klubi dhe lojtari kanë tërhequr interesin e një skuadre nga Seria A italiane.
Sipas burimeve pranë klubit, në zyrat e Al Itihad ka mbërritur një ofertë konkrete nga Italia, vlera e së cilës thuhet se është dy herë më e lartë se ajo e kartonit të futbollistit. Në kushtet kur klubi saudit po kalon një proces ristrukturimi të skuadrës, raportimet sugjerojnë se palët mund të arrijnë një marrëveshje dhe transferimi i Mitajt në Serinë A të realizohet gjatë kësaj vere.
Për momentin nuk është bërë publik emri i klubit italian që ka shfaqur interes për 22-vjeçarin shqiptar. Megjithatë, Mitaj konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares, ku prej vitesh është aktivizuar si titullar në krahun e majtë të mbrojtjes.
Para transferimit tek Al Itihad, Mitaj ka qenë pjesë e AEK Athinës dhe Lokomotivës së Moskës, duke ndërtuar një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin europian pavarësisht moshës së re.
Lini një Përgjigje