
Emri i Brojës po qarkullon fuqishëm këto ditë në Serinë A, në një kohë kur ekipe si Milani dhe Roma janë në kërkim të një qendërsulmuesi të ri. Merkato e “Djallit” nuk është mbyllur ende, pavarësisht se janë afruar shumë lojtarë, Milani mbetet në kërkim të një qendërmbrojtësi, një anësori të majtë dhe një sulmuesi. Për zëvendësuesin e Oliver Zhiru ka risi, pasi sipas “Sky Sport” drejtuesit e Milanit po bëjnë sondazhe me Juven për Moize Kin. Kuqezinjtë kanë përpiluar një ofertë, transferim në formë huazimi për 5 milionë euro, me të drejtë blerje.
Në Torino askush këtë verë nuk është i pashitshëm, aq më tepër Kin, por drejtuesit e Juves do të preferonin më shumë një shitje përfundimtare. Në fakt, e ardhmja e Kin, por mbi të gjitha e Brojës, është shumë e lidhur se si do të përfundojnë negociatat e Çelsit dhe Juventusit për shkëmbimin Vlahoviç-Lukaku. Nëse në Londër do të zbarkojë sulmuesi serb, atëherë Çelsi pritet të lërë të lirë Armando Brojën.
Sipas “Sport Mediaset”, Broja për momentin është opsioni i parë i Milanit për fazës sulmuese, si zëvendësues të Zhiru. I vetmi dyshim që drejtuesit e Milanit kanë është forma e tij fizike, Broja vjen pas një dëmtimi shumë të rëndë, ku dhjetorin e shkuar këputi ligament e gjurit. Kujtojmë që Çelsi dhe Milani kanë ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë, ku vetëm këtë verë nga Londra erdhën dy lojtarë, Pulisiç dhe Loftus Çik. Pista tjetër e Milanit, Hugo Ekitike i PSG-së, është ndërlikuar shumë, pasi drejtuesit e klubit francez kërkojnë të përfshijnë Ekitike në tratativat për të marrë Kolo Muani nga Frankfurti.
Lini një Përgjigje