
Bolonja ka fituar 2-1 ndaj Milanit në “Renato Dall’Ara”, në ndeshjen e prapambetur në Serinë A, e shtyrë për shkak të motit të keq. Ishte Rafael Leao që zhbllokoi shifrat në minutën e 43, pas një topi të gjatë të marrë nga portieri francez Majk Menjo dhe i ndihmuar nga Santiago Gimenez, sulmuesi portugez iu shpëtoi bukur mbrojtësve kundërshtarë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1. Pjesa e dytë nisi direkt me gol, ku vendasit barazuan shifrat në minutën e 48 me yllin e tyre, Santiago Kastro. Argjentinasi përfitoi nga një top i ardhur nga goditja e dënimit dhe mungesa e përqëndrimit të mbrojtjes së Milanit, duke dërguar topin në rrjetë.
Kuqezinjtë pretenduan për prekje të topit me dorë nga Xhovani Fabian, por arbitri nuk e mori fare në konsideratë këtë gjë dhe e quajti të rregullt golin e Kastros.
Në minutën e 82 erdhi përmbysja e madhe e Bolonjs. Vendasit shënuan me Dan Ndoje, pas super asistit të Kambiaxhit. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, Bolonja merr kështu një fitore shumë të rëndësishme që i mban në garë për një vend në kupat e Europës për sezonin e ri.
Ekipi i drejtuar nga Vinçenco Italiano renditet në vendin e gjashtë me 44 pikë, ndërsa Milani në vendin e tetë me 41 pikë. Me këtë humbje, Milani ka shuar përfundimisht shpresat për një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Lini një Përgjigje