
Merr fund ëndrra e Shkëndijës për grupet e Champions League. Tetovarët janë mposhtur me rezultatin e thellë 5-1 nga Karabaku.
Pjesa e parë e takimit u mbyll me shifrat 4-1 për azerbajxhanasit, duke vulosur kualifikimin për në raundin tjetër. Kuqezinjtë e Tetovës e nisën shumë mirë takimin, duke gjetur golin që në minutën e 10, një asist fantastik i Ibrahimit, u konkretizua në mënyrë perfekte nga Tamba.
Por, vendasit reaguan shumë shpejt duke përmbysur shifrat, fillimisht me dy gola për 2 minuta. Së pari autogoli i pafat nga Klinsman Cake dhe më pas goli i Kadi Borges pas 120 sekondash. Akhunxhade në minutën e 33 shënoi të tretin, ndërsa në minutën e 35 ishte Jankoviç që shënoi golin e katërt nga pika e bardhë e penalltisë.
Sikur të mos mjaftonte ky rezultat, Karabaku realizoi edh egolin e pestë në minutën e 59 me Leandro Andrade.
Aventura e Shkëndijës së Tetovës do të vazhdojë në “play off-in” e Ligës së Europës ku do të ndeshet me humbësin e çiftit Ferencvarosh-Ludogorets.
Pjesëmarrja në grupet e Ligës së Konferencës është e sigurt për ekipin nga Maqedonia e Veriut.
Lini një Përgjigje