
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ka mashtruar sot para Asamblesë së klubit madrilen, teksa ka përmendur emrin e Shqipërisë në akuzën e tij për mosfitimin e “Topit të Artë” nga Vinisius Zhunior. Ai akuzoi katër vende se nuk i kishin dhënë vota Vinisiusit duke sjellë fitoren e Rodrit.
“Pa impaktin e katër gazetarëve nga Namibia, Uganda, Shqipëria dhe Finlanda, Vinisius do të kishte fituar “Topin e Artë”. Asnjë nga këto vende as nuk e kanë përfshirë Vinisiusin as mes 10 më të mirëve, nuk i kanë dhënë as një pikë”, ishin fjalët e Perez duke qeshur para sallës që e duartrokiste.
Një mashtrim i pakuptimtë që konstatohet thjeshtësisht nga lista e votimeve të gazetarëve të ndryshëm në botë. Besnik Dizdari, i cili votonte për Shqipërinë, i ka dhënë 15 pikë Rodrit, 12 pikë Jamal, 10 pikë Karvahal, 8 pikë Bellingam, 7 pikë Rudiger, 5 pikë Haland, 4 pikë Lautaro Martinezit, 3 pikë Vinisiusit, 2 pikë Mbape dhe një pikë Xhakës. Qartësisht, duke përfshirë edhe Vinisius mes emrave të përzgjedhur, ku duhet theksuar se 5 nga 10 alternativat e zgjedhura prej tij janë lojtarë të Realit, gjë që tregon se nuk kishte asnjë lloj tendence kundër këtij klubi.
Nuk kuptohet se çfarë e ka çuar Perez drejt kësaj gënjeshtre të hapur, pasi rezulton se edhe Uganda i ka dhënë 3 pikë Vinisiusit, ndërsa nuk përmendi El Salvadorin që i ka dhënë asnjë pikë, apo edhe Çekinë që i ka dhënë vetëm 2 pikë për sulmuesin brazilian.
Lini një Përgjigje