
Erling Haaland sulmuesi i Manchester City, duket i pandalshëm. Ai i shtoi edhe dy gola të tjerë llogarisë së tij në Premier League duke shënuar dje dy herë përballë Leicester.
Bomberi norvegjez shkoi në 32 gola të shënuar në këtë sezon të elitës angleze duke vijuar me rekordet e tij. Këtë herë 22-vjeçari kaloi emra si Cristiano Ronaldo dhe Luis Suarez që në të kaluarën nuk kishin shkuar përtej kuotës së 31 golave në Premier League.
Aktualisht me këto shifra, Haaland është në barazim me Mohamed Salah i cili me Liverpoolin në sezonin 2017/18, u ndal në kuotën e 32 golave. Megjithatë, për Haaland ka ende kohë për të vendosur emrin e tij në majën e Premier League.
Janë edhe tetë ndeshje të mbetura në të cilat sulmuesi i The Citizens do të kërkojë të gjejë rrugën e rrjetës teksa i mjaftojnë tre gola për rekordin absolut. Dyshja që për momentin ka shënuar më shumë gjatë një sezoni të Premier League është Alan Shearer, kur regjistroi kuotën e 34 golave me fanellën e Blackburn Rovers në sezonin 1994/95 si dhe Andy Cole po me 34 gola me fanellën e Newcastle në sezonin 1993/94.
Por, duke njohur aftësinë dhe nuhatjen e Haaland dyshja britanike do ta ketë të vështirë ta ruajë këtë rekord me norvegjezin që edhe pse në sezonin e tij të parë në Premier League, duket se ia ka dalë ta pushtojë i vetëm të gjithë Anglinë.
Lini një Përgjigje