
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur përgatitjet për dy miqësoret që do të luajnë para “EURO 2024”. Sfidat ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit do t’i vlejnë shumë Silvinjos për të krijuar një ide mbi titullarët e Europianit.
Një ndër lojtarët që mund të fitojë vendin e titullarit është edhe Ivan Balliu. Mbrojtësi, i cili aktivizohet momenalisht në La Liga spanjolle me Rajo Vajekanon ka zhvilluar një sezon fantastik.
Balliu ka zhvilluar plot 33 ndeshje si titullar me Vajekanon në kampionatin spanjoll, duke ia dalë që të dhurojë edhe 1 asist. Plot 2876 minuta në këmbët e tij, mund të bëjnë që Elseid Hysaj të ndihet i kërcënuar, pavarësisht se shkodrani ka qenë në 11-shen startuese gjatë gjithë kualifikueseve.
Por forma e ish-it të Barcelonës mund ta lërë Hysajn jashtë formacionit titullar, me Silvinjon që është shprehur se lojtarët i ka përzgjedhur sipas stilit të lojës që do të luhet në Europian. Duke parë që ka lënë jashtë edhe lojtarë si Cikalleshi, nuk është çudi që braziliani të ndryshojë edhe titullarët.
Hysaj në krahun tjetër ka një disavantazh të madh, që janë pikërisht minutat që ka marrë sezonin e fundit me Lacion. Edhe pse ka luajtur vetëm 2 ndeshje më pak se Balliu, pra 31 të tilla, Hysaj ka grumbulluar vetëm 1732 minuta, ku shumicën e rasteve është preferuar të aktivizohet në 10 minutat e fundit të ndeshjeve.
Një “luftë” e hapur në Kombëtare, e cila nisi me dëshirën për ftesën në “EURO 2024”, teksa pritet të vazhdojë edhe për fanelën e titullarit në një kompeticion kaq të rëndësishëm.
Lini një Përgjigje