
Kombëtarja po vazhdon përgatitjet për miqësoret e qërshorit, ku kuqezinjtë do të përballen me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanit. Dy sfida mjaft interesante që do t’i vlejnë “djemve” të Sylvinhos për ndeshjet e “EURO 2024”.
Gjithashtu, pas këtij grumbullimi të parë, para nisjes së Kampionatit Europian, lojtarët kanë zgjedhur dhe marrë numrat e rinj në fanelat e tyre. Disa prej tyre nuk i kanë ndryshuar, ndërsa disa të tjerë kanë marrë numrat e disa lojtarëve që nuk janë grumbulluar.
Një ndër numrat legjendarë, siç është ai “5”, është marrë nga Arlind Ajeti. Numri legjendar i qendisur në fanelën e Lorik Canës, para se ish-kapiteni kuqezi të tërhiqej, tashmë do të mbahet nga Ajeti. Sylvinho ka gjetur kështu “Lorik Canën” e ri, me shpresën se qendërmbrojtësi nga Podujeva do të bëjë po aq mirë sa Cana.
Kujtojmë se Ajeti ka luajtur përkrah Canës edhe në “EURO 2016”, por vetëm në ndeshjen e fundit, atë kundër Rumanisë. Sfidë të cilën kuqezinjtë e fituan me rezultatin 0-1, me golin e shënuar nga Armando Sadiku.
Lini një Përgjigje