
Arbnor Muja ishte protagonisti kryesor dhe pa më të voglin dyshim, lojtari i ndeshjes në sfidën mes Hatajaspor dhe Samsunspor të fituar 0-3 nga ekipi i tij.
Futbollisti dardan shënoi golin e parë në minutën e 36, një inkursion personal fantastik duke dribluar mes 2 kundërshtarëve e më pas dërgoi topin në cepin e rrjetës. Një aksion thuajse identik edhe në golin e dytë, teksa kësaj here ishte asistuesi për sulmuesin Mouandilamadji që e pati mjaft të lehtë të shtynte topin drejt rrjetës.

Gol e asist që i dha atij notën më të lartë, 9.2 nga “SofaScore”. Kjo notë jo vetëm e vendos Mujën në formacionin e javës në Turqi, por e rendit edhe si lojtarin e 9 më të mirë në botë për këtë javë futbollistike.
Muja i dërgon kështu një sinjal të qartë Silvinjos, i cili nuk e ftoi as në Europian e as në ndeshjet e shtatorit ndaj Ukrainës e Gjeorgjisë për Ligën e Kombeve. Gjithashtu, tekniku brazilian as nuk e përmendi mungesën e tij në konferencën e sotme për shtyp.

Lini një Përgjigje