
Fitorja 3 me 0 e kombëtares kundër Çekisë ka ngritur peshë zemrat e gjithë shqiptarëve.
Lojtarët e ekipit të kombëtares kanë hapur shishen e shampanjës dhe po festojnë këtë sukses të merituar.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet brenda dhomës së zhveshjeve duke kërcyer mbi tavolinë edhe zëvendës presidenti i FSHF-së Lutfi Nuriu.
Mbrëmjen e 12 tetorit 2023, në stadiumin e tejmbushur të Tiranës vendosi goli i Jasir Asanit në minutën e 10-të dhe dopieta e Taulant Seferit në minutat 51 dhe 73. Me këtë sukses djemtë e Sylvinhos ngjiten me 13 pikë në krye të grupit dhe janë me një këmbë në fazën finale të "Gjermani 2024".
Sfida nisi jo mirë për djemtë e Sylvinhos, që u befasuan që në minutën e parë. Ishte Kutcha që provoi nga jashtë zone, me Berishën që ndali gjuajtjen. Më pas kuqezinjtë morën veten, teksa në minutën e 10-të Jasir Asani do lëshonte sërish një të majtë nga jashtë zone dhe do shënonte golin e parë të ndeshjes. Asisti i Ramadanit bëri që shkupjani të driblonte bukur dhe me futjen nga brenda të shënonte sërish një supergol, nga ata që na ka mësuar në muajt e fundit.
Në të 40 minutë ishte Chytil që ia bëri më të lehtë Shqipërisë, teksa pas kartonit të dytë të verdhë la çekët me dhjetë lojtarë në fushë. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll 1-0, ndërsa emocionet ishin rezervuar për në fraksionin e dytë.
Në minutën e 51, Sokol Cikalleshi pasoi për Taulant Seferin, që nga brenda zonës nuk e pati të vështirë të mposhtet Pavlenkën. Loja u kontrollua nga kuqezinjtë, që gjetën edhe golin e tretë po me Seferin. Kumanovari përfitoi nga pasimi i Dakut, që përshëndeti rrjetën. Në minutën e 82 ishte Muja që shënoi golin e katërt, por u anullua për pozicion jashtë loje.
Me këtë sukses, tanët janë me një këmbë në fazën finale të "Gjermani 2024" që zhvillohet verën që vjen. Tanimë kuqezinjtë në muajin nëntor udhëtojnë për përballjen me Moldavinë në datën 17, teksa më 20 nëntor presim Ishujt Faroe.
Lini një Përgjigje