TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Korrik 2025, 19:16

Lioni shpëton nga rënia, Kristal Palas paguan "faturën"; klubi anglez dërgohet në Ligën e Konferencës

Shkruar nga Pamfleti

Lioni shpëton nga rënia, Kristal Palas paguan

Kristal Palas është përjashtuar nga Liga e Europës dhe do të luajë në Ligën e Konferencës sezonin e ardhshëm, pasi UEFA arriti në përfundimin se fituesit e Kupës FA kishin shkelur rregullat e pronësisë së shumë klubeve.

Fituesit e Kupës së Anglisë, të cilët nuk kanë luajtur kurrë më parë në një garë të madhe evropiane, do të apelojnë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Notingam Forest është në pritje për për të marrë vendin e Kristal Palas në Ligën e Evropës, por UEFA do të presë që të përfundojë çdo procedurë gjyqësore para se të dalë me njoftim zyrtar.

Ndalimi ishte i pritshëm, pasi Lioni fitoi apelimin e tyre kundër rënies në Ligën 2 dhe rikthimin e ekipit francez në Ligën e Europës. Klubet me të njëjtin pronar ndalohen të garojnë në të njëjtin kompeticion të UEFA-s nëse një individ ose grup pronësie konsiderohet se ka ndikim mbi më shumë se një nga këto ekipe.

Xhon Tekstor është aksioneri më i madh i Kristal Palas dhe pronari i Lionit. Një afat i 1 marsit për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë së shumë klubeve nuk u përmbush dhe megjithëse Tekstor kohët e fundit ra dakord për një marrëveshje për të shitur aksionet e tij të skuadrës angleze te miliarderi amerikan Udi Xhonson, lëvizja nuk është përfunduar dhe u konsiderua se ka ardhur shumë vonë.

UEFA tha në një deklaratë se organi i saj i kontrollit financiar të klubeve kishte arritur në përfundimin se kriteret e pronësisë së shumë klubeve ishin shkelur dhe kishte vendosur "të refuzonin pranimin e Kristal Palas në Ligën e Europës për sezonin 2025-2026 dhe të zhvendosnin ekipin anglez Ligën e Konferencës.

Lioni u kualifikua në Ligën e Europës duke përfunduar i gjashti në kampionatin francez dhe kishte rënë dakord me UEFA-n se do të përjashtohej nga garat e saj europiane nëse rënia e tyre, e imponuar për arsye financiare, nuk do të anulohej.

Tekstor dha dorëheqjen nga pozicionet e tij drejtuese te Lioni këtë muaj, përfshirë edhe nga bordi, dhe Mishel Kang u emërua president dhe kryetar.

Katër bashkëpronarët e Kristal Palas - Tekstor, Stiv Parish, Xhosh Harris dhe David Blicer - ishin pjesë e një delegacioni të klubit që mori pjesë në një takim në selinë e UEFA-s në Nion dhe argumentuan se Tekstor nuk kishte një ndikim vendimtar në “Selhurst Park”.

Megjithatë, kjo nuk e bindi UEFA-n dhe organi drejtues hodhi poshtë një përpjekje nga Tekstor dhe Blicer për të vendosur aksionet e tyre në një trust të verbër sepse kishin humbur afatin e marsit. Përdorimi i një trust të verbër u mundësoi klubeve të tjera me të njëjtët pronarë të luajnë së bashku në një garë të UEFA-s.

Të enjten, Tekstor tha në “TalkSport”: "Pse duhet ta kthej interesin tim në një trust para marsit kur rregulli thotë se duhet ta bësh vetëm nëse ke ndikim vendimtar? Unë nuk kam."/ "The Guardian", përshtati në shqip "Pamfleti"

 

kristal palas skuadra angleze liga e konferencës

Lini një Përgjigje