
Ardian Ismajli do të jetë gati për ndeshjen e radhës të Empolit në Serinë A në fundjavë. Konfirmimi vjen nga mediat pranë klubit, të cilat kanë mësuar se futbollisti ka lënë plotësisht pas telashet që përjetoi në ndeshjen ndaj Leçes.
Futbollisti nuk ishte në formën optimale dhe la shumë për të dëshiruar në minutat e parë të sfidës, ndërsa më pas kërkoi zëvendësim pasi nuk mund të vazhdonte më. Një gjë e rrallë për lojtarin shqiptar i cili ka spikatur pikërisht për shpirtin e tij të garës.
Deklarata e trajnerit D’Aversa pas ndeshjes, shpjegoi arsyen e vërtetë të kësaj paraqitjeje të Ismajlit, e cila ishte pasojë e ndërhyrjes kirurgjikale që kishte kryer në dorë. Kjo duket se qetësoi disi situatën rreth mbrojtësit, ndërsa tani bëhet e ditur se çdo telash fizik është lënë pas.
Kësisoj, ai do të jetë gati për ndeshjen e fundjavës kundër Interit, një prej skuadrave që kishte shfaqur interes për një transferim të mundshëm të futbollistit.
Lini një Përgjigje