
Ditë zie në startin e sezonit të ri të Serisë A, teksa është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare legjenda e trajningut, Karlo Macone.
Trajneri historik, një personazh historik që ka kaluar mbi 60-vite në futbollin italian, teksa është ende sot rekordmeni aktual për numrin e ndeshjeve në Serinë A me 792 të tilla si trajner.
Macone drejtori 12 skuadra italiane midis viteve 1969 dhe 2006 duke përfshirë Romën, Fiorentinën, Napolin si dhe Breshian.
Ai ishte një figurë shumë e respektuar dhe e vlerësuar në futbollin italian. Bëri të mundur transferimin e Igli Tares te skuadra e Breshias në vitin 2001, duke i dhuruar debutimin në ndeshjen kundër Milanit.
Macone arriti të linte shumë gjurmë në elitën e futbollit italian, teksa ishte njeriu që promovoi Françesko Totin te Roma duke e bërë pjesë të skuadrës së parë në moshën 17-vjeçare, që më pas përfundoi duke u shndërruar në një legjendë të verdhekuqve.
Gjithashtu trajneri legjendar luajti një rol të rëndësishëm në rikthimin e Roberto Baxhos te Breshia, si dhe transferimin e Pep Guardiolës, duke i shndërruar “Dallëndyshet” në një ekip konkurues në elitën e futbollit italian.
Lini një Përgjigje