
Pas barazimit me Partizanin, Egantia është rikthyer te fitorja. Rrogozhinasit kanë mposhtur me rezultatin e pastër 0-2 Laçin në fushën e këtyre të fundit.
Miqtë zhbllokuan ndeshjen në minutën e 47. Ndreca realizoi një supergol me një gjuajtje fluturimthi. Futbollisti vendosi të mos festojë në nder të ish-skuadrës së tij.
Në minutën e 75, ekipi i Edlir Tetovës gjeti edhe golin e qetësisë. Kundërsulmi vrastar i rrogozhinasve, me Spahiun nga e djathta që shërbeu shumë bukur për Isgandarli që nuk fali duke përshëndetur rrjetën.
Me këtë fitore, Egnatia merr sërish kryesimin me 30 pikë, ndërsa Laçi mban vendin e 6 me 16 pikë, po aq sa Erzeni.
Në ndeshjen tjetër, Kukësi dhe Skënderbeu kanë ndarë pikët. Ndeshja e luajtur në “Arenën e Demave” është mbyllur në barazim 2-2.
Korçarët e panë veten në avantazh që në minutën e 13. Frenklin doli i vetëm përballë portierit dhe gjeti rrugën e rrjetës.
Në minutën e 38, Skënderbeu dyfishoi shifrat. Lika provoi me një gjuajtje nga goditja e dënimit dhe ndëshkoi portierin Tafas.
Në minutën e 55, Kukësi ngushtoi diferencën. Alia doli i pasigurt në një këndore dhe Zhongo goditi me kokë, duke e dlrguar topin në rrjetë.
Në minutën e 81, verilindorët barazuan shifrat. Një krosim nga këndorja gjeti Da Motën, me këtë të fundit që goditi me kokë dhe e dërgoi në rrjetë.
Me këtë barazim, Kukësi renditet në vendin e 8 me 15 pikë, ndërsa Skënderbeu mban vendin e 4 me 18 pikë.
Lini një Përgjigje