
Norvegjia ka marrë fitoren e gjashtë radhazi në këto kualifikuese në grupin I, pasi mundi në Oslo 5-0 Izraelin. Norvegjezët e drejtuar nga Stale Solbakken janë shumë afër kualifikimit direkt për në Botëror, pasi kanë edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur, njëra në fushën e tyre ndaj Estonisë dhe “finalja” në transfertë ndaj Italisë.
Përsa i përket ndeshjes së sotme, në minutat e para ndodhi një episod aspak i zakontë, me protagonist Erling Haland. Në minutën e 4, Erling Haland gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Sulmuesi norvegjez goditi me të majtën, por u ndal nga portieri izraelit.
Ndërhyri arbitri kryesor dhe penalltia duhej të ripërsëritej, pasi portieri kundështar doli nga vija. Në mënyrë të habitshme, Haland humbi penalltinë për herë të dytë brenda një minute. Këtë herë, Haland gjuajti në krahun tjetër nga hera e parë, por portieri Perec e priti penalltinë për herë të dytë.
Gjithsesi, nuk voni shumë dhe Norvegjia jo vetëm që gjeti rrjetën, por shënoi tre herë brenda 10 minutave, falë dy autogolave në minutat 18 dhe 28 dhe golit të Haland në minutën e 27. Pjesa e parë u mbyll 3-0 për vendasit. Në pjesën e dytë, Haland kompletoi “hat-trickun” duke shënuar edhe dy herë të tjera në minutat 63 dhe 72. Kjo fitore e Norvegjisë rrit presionin ndaj Italisë, e cila luan në mbrëmje në transfertë ndaj Estonisë dhe nuk i lejohet më asnjë lloj gabimi.
Në ndeshjen tjetër të luajtur në Budapest për grupin F, Hungaria mori fitoren e parë për këto kualifikuese pasi mposhti 2-0 Armeninë. Golat për hungarezët u shënuan nga Daniel Lukas në minutën e 56 dhe Zombor Gruber në minutën e 90+4. Hungaria mban vendin e dytë me 4 pikë, pas Portugalisë së vendit të parë me 6 pikë. Armenia e treta me 3 pikë dhe në fund Irlanda me 1 pikë.
Lini një Përgjigje