
Përfundojnë 2 ndeshjet që mbyllin javën e 9 dhe fazën e parë të Abissnet Superiores. Derbi i kryeqytetit është veshur blu, teksa Dinamo ka mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 Partizanin.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja gjeti golin e vetëm të kësaj supersfide në minutën e 54. Një autogol qesharak i Atankoskit i dha fitoren “nëndetëses blu”.
Në minutën e 75, Blutë e Ilir Dajës gjetën golin e qetësisë me Faton Nezirin, i aktivizuar nga stoli. Goli i parë në këtë kampionat për futbollistin e skuadrës dinamovite.
Me këtë fitore, Dinamo ngjitet në vendin e 3 me 17 pikë, ndërsa Partizani “noton” akoma në “ujëra të ftohta”, teksa mban vendin e 8 me 8 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Tirana vazhdon rënien e lirë. Bardheblutë janë mposhtur në kryeqytet nga Elbasani me rezultatin e thellë 1-4.
“Tigrat verdheblu” kaluan të parët në avantazh në minutën e 38. Pas zhvillimit të një goditje këndi, Musta gjuajti me kokë dhe gjeti përgjigjen e Tafas. Tsage ndoqi aksionin dhe dërgoi topin në rrjetë.
4 minuta më vonë, skuadra e drejtuar nga Gvozdenoviç dyfishoi shifrat. Musta lëshoi një predhë nga distanca, Tafas nuk kontrolloi mirë dhe Lulaj e Tsage devijuan topin me sulmuesin, i cili e shtyu në rrjetë.
Kryeqytetasit ngushtuan shifrat në minutën e 65 të takimit. Pas një goditje dënimi nga e majta, Tabeku me kokë ia doli të mposhtte portierin Janaçek.
Në minutën e 90+2, Elbasani trefishoi shifrat. Ze Gomesh mori topin dhe përshkoi gjysmën e fushës, duke dalë i vetëm para Tafas për të çuar topin në rrjetë.
Në minutën e 90+6, Tirana pësoi edhe golin e kapitullimit. Tjetër kundërsulm perfekt i verdhebluve të cilët me Dialo gjetën edhe njëherë rrjetën.
Me këtë fitore, Tirana renditet në vendin e 9 me 6 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e 3 me 17, po aq sa edhe Dinamo.
Lini një Përgjigje