
Shkak për kërcënimin dyshohet se është bërë publikimi i listës së grumbullimit të kombëtares për ndeshjet e shtatorit.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka rënë pre e një kërcënimi. Pesë persona, ku mes tyre edhe presidenti i skuadrës së Iliriës së Fushë-Krujës, Nazmi Selmani, mësohet se kanë dërguar mesazhe kërcënuese ndaj kreut të FSHF-së, mbrëmjen e djeshme.
Pas mbërritjes së mesazheve kërcënuese rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme, autorët kanë shkuar më tej duke shkuar pranë banesës së Dukës rreth orës 22:30. Ky veprim ka detyruar numrin një të FSHF-së që të bëjë kallëzim pranë autoriteteve policore, të cilat kanë nisur menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Në përfundim të hetimeve, Policia ka bërë të mundur vënien në pranga të pesë shtetasve; Redian Loci, Petrit Selmani, Brajan Selmani, Santiago Selmani dhe Nazmi Selmani, ky i fundit president i klubit të futbollit, Iliria.
Shkak për kërcënimin dyshohet se është bërë publikimi i listës së grumbullimit të kombëtares për ndeshjet e shtatorit, listë e cila duket se nuk ka kënaqur pritshmërinë e shtetasve në fjalë.
Njoftimi i policisë:
‘Kërcënuan me sms për shkak të detyrës 62-vjeçarin, Policia kap dhe vë në pranga 5 shtetas si dhe procedon penalisht dy të tjerë.
Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë.
Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë.
Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjitheshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim.’.
Lini një Përgjigje