
Numri një i pankinës së Rejnxhërs, Filip Klement ka folur për Nedim Bajrmain, afrimin më të mirë të skuadrës.
“Nedim Bajrami është një lojtar që e kemi vëzhguar me vëmendje për një periudhë kohore dhe jemi të lumtur ta shtojmë atë në skuadrën tonë.
Shumë nga mbështetësit tanë e kanë ndjekur në Kampionatin Europian, si dhe duke luajtur në Serinë A sezonin e kaluar.
Nedim është dikush që ka përvojë të luajë në ndeshje të mëdha dhe ne jemi të kënaqur që ai ka vendosur që Rejnxhërs është klubi i duhur për të në këtë pikë të karrierës së tij” – tha ai.
Fantazisti i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, do të luajë në kampionatin skocez për 3 vitet e ardhshme, pasi Sasuolo ka vendosur ta shesë për 4 milionë euro te Gllasgou Rejnxhërs. Kontrata e lojtarit kuqezi me ekipin e madh skocez është deri në vitin 2027. Lëvizja është konfirmuar nga vetë klubi në faqen zyrtare.
Më parë diskutohej që 25-vjeçari të huazohej nga klubi skocez, me të drejtë blerjeje verën e ardhshme, por Sasuolo këmbënguli për shitjen përfundimtare.
Evidentohet fakti që mesfushori kuqezi luajti në “EURO 2024″ dhe që në 100 ndeshje në Serinë A ka dhënë 11 asiste. Lojtari shqiptar ka luajtur në Itali fillimisht me Empolin, për të kaluar më pas te Sasuolo në janar të 2022-shit dhe gjatë kësaj kohe ka shënuar 4 gola në 49 ndeshje me ekipin që ra në Serinë B. Për Bajramin kishte edhe oferta të tjera, por skocezët kanë plotësuar kërkesat e Sasuolos.
Lini një Përgjigje