TAGS-AT E JAVËS

Sport 5 Korrik 2023, 16:06

Karlo Ançeloti lë Realin për Brazilin, ja kur e nis punën trajneri italian te kombëtarja “Seleçao”

Shkruar nga Pamfleti

Karlo Ançeloti lë Realin për Brazilin, ja kur e nis punën

Karlo Ançeloti do të jetë trajneri i ri i Brazilit dhe lajmi tashmë është konfirmuar zyrtarisht edhe nga presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, Ednaldo Rodrigez.

Ançeloti do ta marrë drejtimin e skuadrës “Seleçao” duke nisur nga vera e vitit 2024. Ai do të drejtojë skuadrën fillimisht në Kupën e Amerikës e më pas do të marrin pjesë në Botërorin që do të zhvillohet në Amerikë, Meksikë dhe Kanada.

Ançelotit i përfundon kontrata në fund të sezonit të ardhshëm dhe palët nuk do të vazhdojnë më bashkëpunimin, ndërkohë që lajmi për largimin nga Reali ishte diskutuar prej kohësh, por vetëm tani ka ardhur zyrtarizimi nga presidenti.

Ançeloti do të bëhet trajneri i parë i huaj pas afro 70-vitesh që do të drejtojë përfaqësuesen e Brazilit, për herë të fundit ishte argjentinasi Filpo Nunjez që i udhëhoqi në një ndeshje të vetme në vitin 1965. Ançeloti është një nga trajnerët më të suksesshëm në histori, ku spikasin 4 Champions League, 2 me Milanin dhe dy me Realin e Madridit, gjithashtu ka fituar tituj pafund në Itali, Angli, Gjermani, Francë dhe Spanjë.

Pasi zhgënjyen në Botërorin e fundit, “Katar2022”, Brazili shpreson shumë që me Ançelotin në stol të rikthehen edhe një herë në majën e botës. 

karlo ançeloti kombëtarja e brazilit tekniku italian

Lini një Përgjigje