
Futbolli turk ka rifilluar këtë javë me ndeshjet e Superligës, pas disa javësh ndërprerje si pasojë e tërmetit tronditës që goditi Turqinë. Por nismat sensibilizuese të komunitetit të futbollit nuk kanë marrë fund dhe këtë e treguan më së miri tifozët e Beshiktashit sot në ndeshjen ndaj Antaliaspor.




Tifozët kishin mbushur stadiumin “të armatosur” në Stamboll dhe kur ora lokale shënonte 16:17, ata lëshuan mbi fushën e lojës një rrebesh me lodra. Thuajse të gjithë kishin blerë dhe marrë me vete lodra, të cilat i hodhën në fushën e lojës, duke ndërprerë për disa çaste ndeshjen.




Kjo ishte një dhuratë për fëmijët në zonat e goditura nga tërmeti, të cilët si pasojë e shkatërrimit, kanë mbetur pa lodra. Lojtarët, por edhe gjyqtarët dhe zyrtarët u afruan dhe larguan lodrat duke pastruar fushën, teksa duartrokitnin tifozerinë. Disa lojtarë, mes të cilëve edhe kapiteni Çenk Tosun i Beshiktashit, nuk mbanin dot lotët nga ky gjest i veçantë i mbështetësve të ekipit vendas, por edhe atyre të Antaliaspor të cilët iu bashkuan kësaj nisme emocionuese.




Lini një Përgjigje