
Juventusi ka marrë barazimin e dytë radhazi, duke mos shkuar më shumë se shifrat 1-1 ndaj Atalantës, në sfidën e luajtur në “Allianz Stadium”, e vlefshme për javën e pestë të Serisë A.
Pjesa e parë e takimit u mbyll në avantazhin e Atalantës 0-1. Kamaldin Sulemana shënoi një gol shumë të bukur në minutat shtesë të pjesës së parë, duke përfituar nga një “përgjumje” dhe humbje topi nga bardhezinjtë.
23-vjeçari Kamaldin Sulemana u transferua në merkaton e verës nga Sauthempton për 17 milionë euro dhe ky është goli i dytë për të me fanelën e Atalantës.
Në minutën e 64, ishte radha e Edon Zhegrovës për t’u futur në fushë në vend të Lois Openda. Ylli i Kosovës pati një paraqitje shumë të mirë. Goli i barazimit nga bardhezinjtë erdhi në minutën e 78, ku i sapo futuri në fushë, mbrojtësi kolumbian Huan Kabral, barazoi shifrat pas një gafe të mbrojtësit nga Bregu i Fildishtë, Odilon Kosunu, i cili doli huq në tentativën për të larguar topin. Ishte fillimisht Edon Zhegrova që bëri një lëvizje të bukur dhe pasoi për Zhoao Marion, ky i fundit krosoi në zonë, nga ku erdhi goli i barazimit.
Në minutën e 80, kapiteni Marten de Run la Atalantën me 10 lojtarë, pasi mori kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Ueston MekKeni. Pavarësisht se ishte me një lojtar më shumë në minutat e mbetura, Juventusi nuk arriti të gjente golin e avantazhit.
Lini një Përgjigje