
Juventusi ka marrë një tjetër rezultat zhgënjyes në kampionat. Bardhezinjtë janë mundur 1-0 “Olimpico” kundër Lacios së Igor Tudor.
Dy humbje dhe dy barazime për skuadrën e Alegrit në katër ndeshjet e fundit, me Milanin që do të ketë një mundësi të përforcojë vendin e dytë në rast të një fitoreje në mbrëmje kundër Fiorentinës.
Lacialët provuan të parët me Tati Kastejanos, por goditja e tij shkoi fare pranë portës. Sulmuesi tentoi pak minuta më vonë, por pa rezultat. Felipe Anderson vendosi në provë Sheznin në minutën e 26, e menjëhershme përgjigja e portierit polak.
“Zonja e Vjetër”, pas një aksioni shumë të bukur, shkaktoi drithërima në stadium, gjuajtja tokazi e Kiezës u ndal nga Mandas. Në pjesën e dytë, ekipi i Igur Tudor dominoi në mbajtjen e topit, por hasi mjaft vështirësi në sulm, përballë një prapavije shumë mirë të vendosur.
Lacio futi në “kasafortë” 3 pikët falë golit të Marusiç në shtesë, triumf ky që dërgon skuadrën në vendin e shtatë me 46 pikë. Juvja është në vendin e 3 me 59 pikë.
Lini një Përgjigje