
Pas humbjes me Tiranën në derbin e kryeqytetit dhe atë me Vllazninë si dhe barazimit me Egnatian, Dinamo është rikthyer te fitorja. Blutë kanë mundur me rezultatin e pastër 2-0 Skënderbeun në “Niko Dovana”.
Kryeqytetasit zhbllokuan ndeshjen në minutën e 3. Aksion individual spektakolar i Kaçorrit, i cili kaloi me shpejtësi mbrojtësit që i dolën përpara dhe më pas mposhti edhe portierin, duke i dhënë tre pikët ekipit të tij.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej me shifrat minimale, ekipi i drejtuar nga Dritan Mehmeti gjeti golin e qetësisë në minutën e 82. Pas një aksioni nga e djathta, topi shkoi te Qefalija, i cili me një diagonale me të majtën, dërgoi topin në rrjetën e portierit Alia.
Me këtë fitore, Dinamo renditet në vendin e 5 me 39 pikë, po aq sa Tirana, por “nëndetësja blu” ka një ndeshje më pak, ndërsa Skënderbeu mban vendin e 4 me 40 pikë.
Lini një Përgjigje