Reali i Madridit pritet të ketë një trajner të ri në sezonin e ardhshëm, duke zëvendësuar Alvaro Arbeloan në pankinën e skuadrës. Në javët e fundit, emri i Jurgen Klop është përmendur shpesh si një nga kandidatët potencialë për drejtimin e “Los Blancos”, por zhvillimet e fundit tregojnë një drejtim tjetër.
Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, megjithëse Klop vlerësohet maksimalisht nga drejtuesit e klubit madrilen, ai nuk është pjesë e listës së kandidatëve në procesin e përzgjedhjes. Reali i Madridit, ndërkohë, nuk duket se e ka me nxitim për të bërë publik emrin e trajnerit të ri.
Raportohet se trajneri gjerman është më i fokusuar te mundësia për të marrë drejtimin e kombëtares së Gjermanisë në të ardhmen. Ai respekton punën e trajnerit aktual Julian Nagelsman dhe nuk ka ndërmend të ndërhyjë në këtë fazë. Deri në një vendim të mundshëm, Klop pritet të vazhdojë rolin e tij si Drejtor Sportiv në Grupin Red Bull.
Jurgen Klop u largua nga drejtimi i Liverpulit në verën e vitit 2024. Që prej asaj kohe, disa klube kanë shprehur interes për ta afruar, por ai ka qenë i qartë në deklaratat e tij se dëshiron një periudhë pushimi nga stresi dhe angazhimet e përditshme të trajningut në nivel klubi.
Lini një Përgjigje